Video / Mungesa e mjekëve specialistë në Spitalin e Gramshit, shqetësim për qytetarët
Mungesa e mjekëve specialistë në Spitalin Bashkiak të Gramshit po krijon prej vitesh probleme serioze sociale dhe shëndetësore për banorët e këtij rrethi.
Sipas situatës aktuale, prej vitesh në këtë institucion mungojnë rreth 8 mjekë specialistë, ndërsa aktualisht shërbejnë vetëm 5 mjekë, ku 3 prej tyre janë në moshë pensioni.
Banorët shprehen se ky shqetësim është ngritur disa herë, por deri tani nuk është marrë në konsideratë dhe nuk është gjetur zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë.
Për një kontroll të thjeshtë mjekësor, si për probleme kardiologjike apo të tjera, qytetarët detyrohen të udhëtojnë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, gjë që sipas tyre është e vështirë, sidomos për moshën e tretë dhe pensionistët.
Sinkron – banorët:
“Për ne nuk është zgjidhje të shkojmë në Elbasan për çdo kontroll të thjeshtë. Kjo na vështirëson jetën, sidomos ne të moshuarve.”
Një tjetër problem i ngritur është edhe fakti se shumë mjekë me origjinë nga Gramshi, pas përfundimit të studimeve, nuk janë kthyer të shërbejnë në vendlindje. Ata janë punësuar në qytete të tjera të vendit ose kanë emigruar jashtë, kryesisht në Gjermani.
Situata mbetet shqetësuese për komunitetin lokal, i cili kërkon ndërhyrje urgjente për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në rreth.


