VIDEO / NJË XHIRO NË PAZARIN E VJETËR TË GJAKOVËS – SURPRIZAT QË NA ZBULOI KJO XHIRO!
Gazetari Shkëlzen Hënkoja sjell këtë të shtunë një udhëtim të veçantë në Pazarin e Vjetër të Gjakovës
Këtë të shtunë, gazetari Shkëlzen Hënkoja, përmes emisionit “Përtej Traditës”, sjell për teleshikuesit një udhëtim të veçantë në Pazarin e Vjetër të Gjakovës, një prej perlave historike dhe kulturore të Kosovës.
Përgjatë xhirimeve, ekipi i emisionit u ndal në rrugicat karakteristike të pazarit, ku takoi njerëz që me rrëfimet e tyre dëshmojnë dashurinë dhe krenarinë për qytetin. Një e re, e cila jeton prej vitesh në Zvicër, rrëfeu me emocion se, pavarësisht jetës jashtë vendit, Gjakova mbetet gjithmonë në zemrën e saj, pasi është vendlindja e saj.
Gjatë shëtitjes, një i ri gjakovar u shpreh se mikpritja dhe bujaria janë ndër vlerat që i karakterizojnë banorët e këtij qyteti, ndërsa theksoi se bukuria e vërtetë e Gjakovës zbulohet vetëm duke e vizituar nga afër.
Emisioni ndalet edhe te trashëgimia kulturore. Një zonjë, që ruan me përkushtim traditën shqiptare, prezanton veshjet tradicionale dhe tregon historinë e dyqanit të saj me emrin e veçantë “Cuca”, një simbol i identitetit dhe kulturës që vazhdon të jetojë në zemër të pazarit.
Ky episod i “Përtej Traditës” është një ftesë për të zbuluar historinë, kulturën, mikpritjen dhe atmosferën unike të Gjakovës, një qytet ku tradita vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme.
Mos e humbisni këtë udhëtim të veçantë, këtë të shtunë, në emisionin “Përtej Traditës” me gazetarin Shkëlzen Hënkoja.



