Tragjedi në Kretë, humbin jetën 34-vjeçari nga Gramshi Aleksandër Toçila dhe 28-vjeçari Edison Xhaka në aksidentin e rëndë me motor
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Kretë dhe familjet e dy të rinjve që humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 00:30, në aksin rrugor Kissamos–Hania, pranë zonës së Kolimbarit, në ishullin e Kretës, Greqi.
Sipas informacioneve paraprake, dy të rinjtë po udhëtonin me motor kur, në rrethana ende të paqarta, kanë humbur kontrollin e mjetit dhe janë përplasur me barrierat anësore të rrugës. Përplasja ka qenë e fuqishme dhe fatale, duke shkaktuar humbjen e jetës së tyre në vendngjarje.
Viktimat e këtij aksidenti tragjik janë identifikuar si Aleksandër (Qazim) Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi, dhe Edison Xhaka, 28 vjeç.
Humbja e Aleksandër Toçilës ka sjellë dhimbje të madhe në qytetin e Gramshit, te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin. 34-vjeçari jetonte dhe punonte në zonën e Kissamosit, ndërsa kujtohet nga të afërmit si një njeri i dashur, me humor, i respektuar dhe gjithmonë pranë njerëzve të tij.
Lajmi i ndarjes së tij të parakohshme nga jeta ka tronditur komunitetin gramshak, pasi një jetë e re u ndërpre papritur në një ngjarje tragjike larg vendlindjes.
Dhimbja është e madhe edhe për familjen dhe miqtë e Edison Xhakës, 28-vjeçarit i cili jetonte dhe punonte prej vitesh në Kretë. Ai përshkruhet nga njerëzit që e njihnin si një djalë punëtor, të respektueshëm dhe me ëndrra për të ardhmen, të cilat u ndërprenë në mënyrë tragjike.
Dy të rinjtë ishin të njohur në komunitetin ku jetonin, ndërsa lajmi i aksidentit ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe bashkatdhetarët.
Pas ngjarjes, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë tragjedi.
Familja Xhaka ka bërë të ditur se dyert e ngushëllimeve janë hapur te i afërmi i tyre Festimi. Ndërsa për familjen Toçila, pritja e ngushëllimeve do të zhvillohet në ambientet e Shoqatës.
Një lajm i rëndë që ka lënë pas dhimbje dhe trishtim. Dy jetë të reja u ndërprenë shumë herët, duke lënë pas kujtime, mall dhe dhimbje te të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe Aleksandër (Qazim) Toçila dhe Edison Xhaka. Qoftë i lehtë dheu për ju. 🕊️



