Flakët përfshijnë malin e Vinës në Gramsh, terreni i vështirë vonon ndërhyrjen e zjarrfikësve
Një vatër zjarri ka përfshirë Malin e Vinës në Bashkinë e Gramshit, duke mobilizuar strukturat e emergjencës për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit për automjetet zjarrfikëse.
Sipas autoriteteve, zjarri ra gjatë ditës së shtunë në një zonë malore, ku ndërhyrja me mjete ishte e pamundur. Për këtë arsye, efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit përshkuan rreth dy orë në këmbë për të mbërritur te vatra dhe për të nisur operacionin e shuarjes.
Falë ndërhyrjes së shpejtë, flakët u izoluan në kohë, duke shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera pyjore. Në operacion morën pjesë edhe punonjës të Shërbimit Pyjor dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Autoritetet theksojnë se reagimi i koordinuar shmangu një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, kur zjarret në këtë zonë shkaktuan dëme të konsiderueshme.
Për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar gjatë sezonit veror, institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në natyrë dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente për çdo vatër të dyshimtë, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve.



