Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Të kuqtë, në fushë me kapitenin e gjashtë! Gjyqtari goditet gjatë ndeshjes, ka tension dhe panik
Partizani dhe Vllaznia krijuan një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Arena e Demave”. Rastet nuk munguan, po ashtu as tensioni dhe paniku. Rreth 1500 tifozë të pranishëm, teksa sfida u luajt nën reshjet e dendura të shiut. “Panorama Sport” ndodhej në stadium dhe raporton disa prej momenteve më interesante.
-Partizani del i pari në nxehje, ndërsa fillon shi i rrëmbyeshëm. Më pas nga Vllaznia dalin fillimisht dy portierët. Pak më vonë edhe pjesa tjetër e skuadrës.
-Eljon Sota vendos ta ndjekë supersfidën e javës nga tribuna VIP e stadiumit “Arena e Demave”. Mbrojtësi i Egnatias është ish-lojtar i Partizanit.
-Edi Martini i mungon Vllaznisë, pasi është i dënuar nga Disiplina me dy ndeshje pezullim. Shkak u bë gjesti antisportiv ndaj Dinamos, ndërsa vendin e tij e ka Ergi Borshi. Si nga tribuna qëndrore dhe nga “ultrasit”, pati kore në mbështetje të trajnerit të Vllaznisë. Martini vendos ta ndjekë ndeshja nga tribuna VIP e stadiumit “Arena e Demave”, njësoj si drejtori Vioresin Sinani. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në takimin e fundit me Dinamon.
-Altin Bytyçi ka shiritin e kapitenit te Partizani. Është i gjashti për nga hierarkia, në mungesë të Hoxhës, Prekës, Skukës, Markut dhe Atanaskoskit. Situatë e pazakontë për “demat” në këtë ndeshje.
-Shqetëson portieri Pano Qirko në pjesën e parë. Lojtarët e Partizanit e përdorin këtë moment për të marrë instruksione shtesë
-Panik për një moment, pasi Janjeva përplaset me Malën. Të dy kanë nevojë për ndihmën e stafit mjekësor. Janjeva ndëshkohet me karton të verdhë. Barrela afrohet më pas te Mala dhe lojtarët formojnë një rreth. Në fund rezulton se Mala mund të vazhdojë pa problem. Janjeva takohet me Malën pas këtij episodi.
-Toma vendos ta festojë golin me tifozët. Marrëdhënia mes lojtarëve dhe tifozerisë së kuqe nuk ka qenë e mirë gjatë këtij edicioni, për shkak të rezultateve të dobëta.
-Martini largohet nga tribuna rreth dy minuta para përfundimit të pjesës së parë për te dhoma e zhveshjes. Kështu duket se shfrytëzon kohën për të qenë i pari që pret lojtarët te dhoma e zhveshjes.
-Rregullimi i rrjetës nga ana e Partizanit vonon fillimin e pjesës së dytë. Më pas gjithçka vijon normalisht.
-“Bëji ndërrimet”, kërkojnë tifozët e Vllaznisë pas 60 minutave lojë. Në tribunën qendrore shtohet tensioni, pasi disa tifozë të Vllaznisë e kanë me trajnerin Kërnaja që proteston. Pranë të njëjtit grup, që qëndron afër tribunës VIP, hidhet një gotë plastike e mbushur me birrë. Siç kishte qëllim gjyqtarin e katërt, Albano Stolaj, edhe ia arriti. Ky i fundit pati nevojë për ndihmën e stafit mjekësor dhe loja u ndërpre për pak çaste në pjesën e dytë.
-Esat Mala shënon, por vendos të mos festojë. Futbollisti i Vllaznisë vendos kështu në nder të ish-ekipit të tij.
-Sfida mbyllet me barazim, ndërsa asnjëra prej skuadrave nuk duket e kënaqur. Në momente të caktuara pranë fundit pati edhe përplasje në distancë mes lojtarëve, por pa shkuar gjatë.


