GRAMSH/FSHATI QË PRITI 4 DEKADA! MJETI I PARË MBËRRIN NË MUÇAJ PËR HAPJEN E TRASESË SË RRUGËS
Pas trajtimit në emisionin “Përtej Traditës” të problematikës së rrugës në fshatin Muçaj, ku banorët përballeshin prej kohësh me vështirësi të mëdha në qarkullim, ka reaguar Bashkia Gramsh.
Gjendja e rrugës kishte krijuar vështirësi të shumta për banorët, deri në raste kur edhe për ceremonitë mortore ishte e nevojshme përdorimi i mjeteve të ushtrisë.
Pas transmetimit të emisionit, Bashkia Gramsh ka mobilizuar mjetet për ndërhyrjen në rrugë. Një mjet i rëndë është angazhuar për hapjen dhe sistemimin e trasesë, duke krijuar mundësi për përmirësimin e aksesit për banorët.
Në pamjet e siguruara shihet qartë puna e mjetit të rëndë, i cili po hap trasenë e rrugës dhe po ndërhyn në një nga segmentet problematike.
Banorët e Muçajt shpresojnë që kjo ndërhyrje të vijojë deri në përmirësimin e plotë të rrugës dhe që tashmë edhe ky fshat të ketë një rrugë të kalueshme, njësoj si fshatrat e tjerë.
Përtej Traditës
Muçaj, Gramsh



