Video / Heroizëm në lumin Devoll! Zjarrfikësit e Gramshit shpëtojnë tre persona nga një traktor i bllokuar
Një ndërhyrje e shpejtë dhe vendimtare e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit ka shmangur një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Mëngjesin e sotëm, ekipet e zjarrfikësve u njoftuan se një traktor kishte mbetur i bllokuar në lumin Devoll, në vendin e quajtur Bishti i Nartës. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, forcat e shpëtimit u nisën drejt vendngjarjes.
Falë ndërhyrjes së tyre profesionale, u shpëtuan tre persona: një i moshuar, nipi i tij dhe drejtuesi i traktorit. Sipas të dhënave, mjeti ishte zhytur në ujë deri në lartësinë e kabinës, duke e bërë operacionin e shpëtimit edhe më të vështirë.
Shërbimi Zjarrfikës u bën sërish thirrje qytetarëve të mos futen në shtratin e lumit Devoll, pasi prurjet e papritura të ujit nga diga e Moglicës mund të krijojnë situata me rrezik të lartë për jetën.
Tre jetë u shpëtuan sot. Respektoni tabelat paralajmëruese dhe mos rrezikoni jetën, që ngjarje të tilla të mos përfundojnë me pasoja tragjike.


