Rovja, destinacioni i harruar që lidh Gramshin me Mokrrën e Pogradecit
Nga Shkëlzen Henkoja
Vetëm 40 kilometra larg qytetit të Gramsh dhe rreth 120 kilometra nga Tiranë ndodhet fshati Rovje, një perlë e rrallë e bukurisë natyrore në zemër të Gramshit. I rrethuar nga male, pyje dhe peizazhe mahnitëse, ky fshat kufizohet me zonën e Mokrrës në Pogradec dhe mbetet një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm për turizmin malor.
Rruga e ndërtuar vite më parë nga ndërmarrja NFP Pogradec vazhdon të shërbejë si urë lidhëse për të gjithë pasionantët e natyrës dhe aventurës që dëshirojnë të eksplorojnë këtë zonë të veçantë. Megjithatë, edhe pse Zoti e ka bekuar Rovjen me bukuri të rralla natyrore, mungesa e infrastrukturës rrugore e ka lënë këtë fshat disi në harresë.
Gazetari i emisionit “Përtej Traditës” në televizionin Fax News, Shkëlzen Henkoja, gjatë një udhëtimi në këtë zonë sjell pamje reale nga një pjesë e fshatit, duke treguar potencialin e madh që ka për zhvillimin e turizmit.
Banorët dhe vizitorët shprehen se do të mjaftonte vetëm ndërhyrja e një fadrome për sistemimin e rrugës, çka do të sillte jo vetëm shtimin e numrit të turistëve, por edhe krijimin e një lidhjeje të rëndësishme për ata që duan të udhëtojnë përmes maleve drejt Pogradecit e më tej drejt Maqedonisë së Veriut.




