“3 ditë pa ujë”/ Banori i Gramshit vendos tabelë në mes të rrugës për t’u dëgjuar thirrja e fshatit
Alarm në fshatin Trashovicë të Gramshit
Prej tre ditësh, banorët e fshatit Trashovicë po përballen me mungesë totale të ujit të pijshëm, pas dëmtimit të tubacionit të ujësjellësit nga firma që po kryen punimet në rrugën e fshatit.
Banorët shprehen të revoltuar dhe të lodhur nga kjo situatë, ndërsa detyrohen të transportojnë ujë me bidona për nevojat më minimale të familjeve të tyre. Në mes të temperaturave të larta dhe vështirësive të përditshme, mungesa e ujit po e bën jetën thuajse të pamundur për komunitetin.
“Kemi 3 ditë pa ujë. Firma që po bën rrugën ka dëmtuar tubacionin dhe askush nuk po kujtohet për ne,” – shprehet një banor i zonës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe riparimin sa më të shpejtë të rrjetit të ujësjellësit, pasi uji i pijshëm është një nevojë jetike dhe jo një luks.


