VIDEO / GRAMSHI E NIS ME FITORE SEZONIN 2026–2027, MUND NAFTËTARIN 0–2 NË KUÇOVË – JURGEN PEQINI SHËNON TË DY GOLAT
GRAMSHI E NIS SEZONIN ME FITORE NË TRANSFERTË, PEQINI SHËNON TË DY GOLAT
Gramshi e ka nisur me këmbën e mbarë sezonin e ri futbollistik 2026–2027. Në ndeshjen e parë të kampionatit, skuadra gramshiote fitoi 0–2 në transfertë ndaj KF Naftëtari, në Stadiumin “Bashkim Sulejmani” në Kuçovë.
Të dy golat e takimit u shënuan nga Jurgen Peqini, i cili realizoi fillimisht nga pika e bardhë në minutën e 42-të, ndërsa në pjesën e dytë vulosi rezultatin 0–2 me golin e dytë personal.
Me këtë fitore, Gramshi merr tri pikët e para në kampionatin e Kategorisë së Dytë.
Në Kuçovë ishte i pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh gramshiotë. Për mbështetësit u vu në dispozicion falas një autobus nga Bashkia e Gramshit, duke u mundësuar atyre të udhëtonin për të qenë pranë skuadrës në ndeshjen hapëse të sezonit.
Në përfundim të takimit, futbollistët gramshiotë iu afruan tribunës për të përshëndetur tifozët, duke mbyllur një ditë të rëndësishme për futbollin e qytetit.
KF NAFTËTARI 0–2 KF GRAMSHI
Stadiumi “Bashkim Sulejmani” – Kuçovë
⚽ Jurgen Peqini 42’ (11-m)
⚽ Jurgen Peqini 70’


