Te Interi s’është titullar, emri i Kristjan Asllanit përfundon në La Ligan spanjolle
‘Sky Sport’ në Itali bën me dije se Real Betis në La Ligan spanjolle të futbollit është futur në garë për të marrë shërbimet e Kristjan Asllanit.
Kristjan Asllani nuk e ka të sigurt vendin e titullarit te Interi, paçka se Hakan Calhanoglu lidhet me një kalim te Galatasaray, duke lënë një “gropë” të madhe në mesin e fushës te zikaltërit. Tanimë ‘Sky Sport’ në Itali bën me dije se veç Bolognas dhe Fiorentinës, interes për shërbimet e Asllanit ka edhe nga Spanja.
Real Betis pëlqen mesfushorin e Kombëtares dhe e cilëson si një afrim me vlerë, nëse gjithçka do realizohej. Finalistët e Europa League ishin surpriza e madhe e sezonit të shkuar dhe në Sevilla po mendojnë të formojnë ekipin duke ia besuar Asllanit “çelësat” e mesfushës. Një ofertë pritet për Interin, duke mos u përjashtuar edhe huazimi.
Asllani u bashkua me Interin në verën e 2022 dhe pas tre sezneve ka një rritje në lojë, por ende nuk e ka kapërcyer “paragjykimin” e moshës për të marrë mbi shpinë barrën e lojës krijuese te një nga klubet më të mira në Evropë.



